Dy automjete të komunës së Zveçanit janë djegur qëllimshëm nga persona deri tani të panjohur mbrëmë pas mesnatës, ndërsa përveç, dëmeve materiale, nuk ka të lënduar.
Lajmin për KosovaPress e ka konfirmuar u.d. drejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
“Rreth orës 01:40 dy vetura janë dëmtuar, sipas informatave me koktej molotovi. Policia është aty, sidoqoftë, policia është aty dhe jemi duke u marrë me rastin. Varësisht ku na dërgojnë njoftimet, atje shkojmë edhe ne. Një herë për një herë nuk kemi të arrestuar dhe nuk kemi të dyshuar, të lënduar nuk ka… Ju e dini që i kemi disa raste të zjarrvënies, janë duke u hetuar këto raste, por deri tash nuk kemi të arrestuar për rastin e mbrëmshëm”, tha ai.
Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, tha se nuk e di shkakun e këtij sulmi.
“Si pasojë për momentin të panjohur kanë bërë djegien e dy veturave zyrtare në parkingun e komunës. Unë si kryetar komune e dënoj këtë akt dhe i lus institucionet e sigurisë të shtetit që sa më shpejt të arrestohen ata persona dhe të dalin para drejtësisë”, tha ai.
Fundjavën e kaluar, në një rast tjetër, autorë të panjohur hodhën bombë ndaj disa veturave civile në afërsi të Liqenit të Ujmanit. Policia e Kosovës po e heton edhe këtë rast.