Me ceremoni zyrtare në shtabin e Misionit të NATO-s në Kosovë - KFOR, në "Film City" në Prishtinë, është bërë ndërrimi i komandantit të KFOR-it.
Komandanti i deritanishëm i KFOR-it, nga radhët e forcave turke në kuadër të NATO-s, Özkan Ulutaş, i ka dhënë detyrën komandantit të ri nga forcat italiane, Enrico Barduani, në prani të presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti, ministrit të Mbrojtjes Ejup Maqedonci, ministrit turk të Mbrojtjes Yaşar Güler, përfaqësuesve të institucioneve në Kosovë, ambasadorëve, ushtarakëve, përfaqësuesve fetarë.
Presidentja Vjosa Osmani tha se populli i Kosovës dhe institucionet kosovare do të vazhdojnë të punojnë ngushtë me KFOR-in për të siguruar se Kosova do të mbetet një vend i qetë, sigurt dhe paqësor.
"Natyrisht gjatë këtyre 25 viteve ka pasur edhe sfida. Ato më të zëshmet kanë qenë të 24 shtatorit të vitit të kaluar. Dëshiroj të falënderoj Forcat e Kosovës që qëndruan në këto ditë të vështira krah nesh, posaçërisht gjeneralin Ulutaş që ofroi ndihmë për të siguruar pajisje logjistike për të na ndihmuar që ta mbajmë Policinë e Kosovës të sigurt", theksoi Osmani.
Ish-Komandanti Ulutaş tha se e di që Kosova do të vazhdojë bashkëpunimin me KFOR-in, por për fat të keq ai tha se shumë sfida dhe tensione mbeten në Kosovë.
Sipas Ulutaş, përkushtimi dhe qasja konstruktive nga të gjitha palët do t’i tejkalojë të gjitha pengesat.
"Jemi optimistë se përkushtimi dhe qasja konstruktive nga të gjitha palët do t’i tejkalojë të gjitha pengesat. Përgjatë komandës sime, KFOR-i me sukses ka kontribuar për ofrimin një situatë të qetë dhe të sigurt në tërë Kosovën në përputhje me mandatin tonë të Kombeve të Bashkuara", theksoi Ulutaş.
Ai tha se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel ka mbështetjen edhe të KFOR-it, si rrugë për gjetjen e një zgjidhjeje afatgjate.
Barduani: KFOR-i ka kontribuar në konsolidimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet
Ndërkaq, komandanti i ri i KFOR-it, Barduani, në fjalën e parë pas marrjes së detyrës, tha se pret që të punojë ngushtë dhe krah për krah me secilin aktor në Kosovë.
Barduani theksoi se pas 25 vitesh prani të NATO-s në Kosovë, KFOR-i ka kontribuar në konsolidimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet.
Sipas tij, sfidat mbeten dhe situata e sigurisë vazhdon të evoluojë, prandaj është jetike që të vazhdohet të ecet përpara, bashkërisht.
"Pikërisht në këtë frymë kam zgjedhur moton latine të mëposhtme për mandatin tim: Uniteti i të gjithë njerëzve fiton. Uniteti është thelbësor nëse duam të arrijmë misionin tonë", theksoi Barduani.
Ish-komandanti i KFOR-it nga radhët e forcave turke, Özkan Ulutaş, i cili mori Medaljen e Nderit gjatë ceremonisë, shërbeu në këtë detyrë nga 10 tetori i vitit 2023, për mandat njëvjeçar. Paraprakisht ai është pritur në takime lamtumirëse edhe nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.