Të martën, Aleksandar Vuçiq, u bëri thirrje partive opozitare që të dorëzojnë nënshkrime për mbajtjen e referendumit këshillues për besimin ndaj Presidentit të Serbisë.
Në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Vuçiq i është referuar hulumtimit të Qendrës për Hulumtim, Transparencë dhe Përgjegjësi (CRTA), sipas të cilit më shumë se 50 për qind e qytetarëve serbë nuk e mbështesin punën e presidentit të vendit.
Ai tha se qytetarët e zgjodhën në postin e presidentit dhe tha: "Më zgjodhët mua për të udhëhequr vendin në kohë të vështira dhe të lehta, për të marrë vendime shpesh jopopullore. Të luftoj për këtë vend. Unë bëra maksimumin”, shtoi ai.
"Unë nuk dua të jem dikush që do ta sundojë Serbinë me dhunë. Unë kurrë nuk e kam dashur këtë. Nuk kam dashur kurrë të sundoj pa besimin e popullit. Mendoj se zgjidhja më e mirë është të shkojmë në një referendum këshillues", tha Vuçiq.
Ai shtoi se për këtë nevojiten vetëm 67 nënshkrime të deputetëve të opozitës.
“Tani kanë prova se unë do të rrëzohem, andaj menjëherë do të caktojmë referendum këshillëdhënës. Ne si partia më e madhe politike në Serbi do të japim njëqind nënshkrime që të bëhet ai referendum këshillëdhënës”, tha Vuçiq.
Ai tha se pa besimin e popullit nuk dëshiron të qëndrojë asnjë ditë në pushtet.
“Nuk dua të bëj asgjë në kundërshtim me vullnetin dhe interesat e qytetarëve të Serbisë, prandaj u bëj thirrje partive opozitare që të dorëzojnë vetëm 67 nënshkrime me kërkesën për referendum këshillëdhënës, do të dorëzojmë edhe njëqind të tjera dhe zgjidhin gjithë krizën që ata vetë e shkaktuan nga keqpërdorimi imoral i tragjedisë në atë rrugë”, tha Vuçiq.
Kryetarja e Kuvendit Popullor të Serbisë, Ana Brnabiq, nesër do të dorëzojë 100 nënshkrime të deputetëve të shumicës qeverisëse për mbajtjen e referendumit këshillimor për besimin ndaj presidentit Aleksandar Vuçiq, njoftoi Tanjug.