Politika e Serbisë lidhur me çështjen e Kosovës do të jetë që me çdo kusht dhe në çdo mënyrë të ruhet paqja dhe stabiliteti. Kështu u shpreh presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në raportimin e tij para deputetëve në Parlamentin e Serbisë për çështjen e Kosovës.
“Të përmbahemi dhe të mos u përgjigjemi provokimeve, përveç nëse jetët dhe pronat e njerëzve nuk rrezikohen, siç ndodhte në vitin 2004”, tha Vuçiq.
Pika e dytë, sipas tij, është këmbëngulja e Serbisë për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë.
“Këmbëngulje e vazhdueshme për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, i cili duhet të jetë kornizë ligjore dhe fizike për të drejtat e popullit tonë dhe organizimin politik të serbëve në Kosovë, për çdo lloj mbështetjeje të Republikës së Serbisë, të cilën askush nuk mund ta pengojë kurrë. Të mos mendojnë se do të na ndalojë dikush transaksionet e pagesave dhe do të ndalojë ilaçet, ushqimet dhe gazetat”, deklaroi Vuçiq.
Ndër prioritetet, presidenti serb përmendi edhe sigurinë e serbëve të Kosovës.
Gjatë fjalës së tij para Kuvendit, Vuçiq tha se nëse vjen çështja të pranohet Kosova në OKB ose jo, për të dorëzimi nuk është opsion dhe se Kushtetuta e Serbisë është mbi të gjitha për presidentin e Serbisë.