Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka zhvilluar takim me përfaqësuesit politikë të serbëve nga Kosova në Rashkë. Ndër temat e trajtuara ka qenë edhe mbajtja e zgjedhjeve më 23 prill në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
"Unë e di që keni marrë vendim që të mos shkoni në zgjedhje. U bëj thirrje të gjithëve në Kosovë të jenë të bashkuar. Një ftesë për të gjithë që të sillen dhe respektojnë mënyrën se si e morët një vendim", shtoi Vuçiq.
Sipas Vuçiqit, kryeministri i Kosovës Albin Kurti insiston që zgjedhjet të mbahen në veri të Republikës së Kosovës, në mënyrë që kryetarët e komunave, siç tha ai, të zgjidhen nga partia e Kurtit ose e Thaçit, e më pas të thonë se ato komuna në veri nuk duan të jenë pjesë e Asociacionit të Komunave Serbe.
Vuçiq tha gjithashtu se në këtë mënyrë Kurti, i cili nuk dëshiron të formojë Asociacionin, dëshiron të blejë kohë shtesë.
Ai mes të tjerash bëri thirrje për unitet të popullit serb në Kosovë dhe për respektimin e vendimeve që do të merren në mbledhjen e sotme.