Vuçiq takon komisaren e BE-së për migracion, Johansson / Photo: AA

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është takuar sot në Beograd me Komisaren e Bashkimit Evropian (BE) për Punë të Brendshme dhe Migracion, Ylva Johansson.

Vuçiq tha se ka pasur një bisedë të mirë me komisaren Johansson për bashkëpunimin me Bashkimin Evropian, çështjet e migrimit ilegal, harmonizimin e regjimit të vizave, vazhdimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si dhe çështje të tjera të rëndësishme.

"Unë theksova se Serbia është e përkushtuar për bashkëpunim në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë me BE-në në atë masë që nuk do të rrezikonim interesat tona jetike kombëtare, politike dhe ekonomike. E falënderova Komisaren për faktin se Serbia është njohur nga BE-ja si një partner i besueshëm në çështjen e migracionit, ndërsa veprimet e vendit tonë gjatë krizës afatgjatë të migrantëve u vlerësuan si jashtëzakonisht të përgjegjshme, humane dhe solidare”, njoftoi Vuçiq në rrjetet sociale dhe shtoi:

“Serbia vazhdon të monitorojë me kujdes trendet e migracionit dhe me përgjegjësi merr masa në këtë kuptim, gjë që konfirmohet nga Marrëveshja e nënshkruar sot për aktivitetet operative të kryera nga Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare FRONTEX në Republikën e Serbisë”.

Ai gjithashtu theksoi se Serbia është plotësisht e “përkushtuar për dialogun me Prishtinën, por se para së gjithash është e nevojshme të garantohet siguria e popullatës serbe dhe të zbatohen të gjitha detyrimet nga marrëveshjet e arritura deri më tani pa vonesa të mëtejshme”.

Vuçiq mes të tjerash ka theksuar se ia ka bërë me dije komisares situatën e vështirë që, siç thotë ai, përballen serbët në veri të Kosovës.

AA