Zjarret në Greqi kërcënojnë periferitë veriore të Athinës. / Photo: AA

Zjarret kanë vazhduar të bëjnë kërdi në gjithë Greqinë, duke kërcënuar disa periferi veriore në kryeqytetit, Athinës.

Transmetuesi publik ERT tha se një zjarr që shpërtheu rreth mesditës në qytetin Fyli, që ndodhet rreth 25 kilometra nga qendra e qytetit të Athinës, vazhdoi të jetë aktiv në mënyrë të pakontrolluar dhe u zgjerua në shumë drejtime, duke çuar në evakuimin e shumë vendbanimeve në zonë.

Sipas transmetuesit publik, zjarri po i afrohet malit Parnitha, ku ndodhet një bazë radari e Forcave Ajrore Greke.

Në qytetin Aspropyrgos, që ndodhet rreth 16 kilometra në veriperëndim të qendrës së Athinës dhe që është një zonë e madhe industriale, një zjarr shkatërroi dhe dëmtoi rëndë shumë fabrika.

Zjarri gjithashtu detyroi evakuimin e të paktën tri vendbanimeve në zonë dhe pezullimin e shërbimit të trenave në disa seksione.

Në qytetin port verilindor Alexandroupolis, një zjarr shpërtheu për të katërtën ditë.

Dhjetëra vendbanime dhe një spital u evakuuan dhe u morën masa për evakuimin e vetë qytetit nëse do të ishte e nevojshme.

Ndërkohë, zëdhënësi i Shërbimit Kombëtar të Zjarrfikësve, Yiannis Artophios, tha se gjithsej 93 zjarre kanë ndodhur në 24 orët e fundit, shumica e të cilave janë trajtuar menjëherë në fazën fillestare.

Artophios shtoi se më shumë ndihmë nga Bashkimi Evropian (BE) në kuadër të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile së shpejti do të mbërrijë në vend. Ai shtoi se kjo do të përfshijë aeroplanët zjarrfikës dhe makinat e zjarrit.

Në një zhvillim të ngjashëm, divizioni i meteorologjisë i Observatorit Kombëtar të Athinës njoftoi se 161.874 hektarë sipërfaqe pyjore në të gjithë vendin janë djegur plotësisht midis 19 dhe 21 gushtit.

TRT Balkan / agjencitë