Shkallët e stadiumit "Fadil Vokrri" në Prishtinë sonte pritet të jenë të stërmbushura në ndeshjen mes Ballkanit dhe Sivasspor-it.     Foto: FC Ballkani/Facebook

Për futbolldashësit e Kosovës sot është një ditë e veçantë e javës meqë skuadra e vetme shqiptare e këtij vendi, Ballkani do të zhvillon ndeshjen kthyese kundër Sivasspor-it nga Türkiye në kuadër të grupeve të Ligës së Konferencës.
Ndeshja e zhvilluar në Türkiye ndaj skuadrës turke sot një javë doli të ishte historike për Ballkanin e Suharekës, pasi e arriti fitoren e parë në këtë garë, diçka që asnjë klub tjetër kosovar nuk e kishte bërë më parë.
Me këtë fitore, klubi suharekas tani ka një shans të mirë për t’i kaluar grupet, ku qëndron lider i grupit, me pikë të barabarta me të tri skuadrat e tjera, por me golaverazh më të mirë.
Kjo ka bërë që interesimi të jetë i jashtëzakonshëm për ta parë Ballkanin në “Fadil Vokrri”, ku e dëshmoi edhe shitja e biletave në mënyrë masovike.
Që nga dita e parë e publikimit të lajmit nga klubi për shitjen e biletave, më shumë se gjysma e tyre janë shitur për 6 orë.
Ndërsa sot, ata që kanë siguruar biletën llogariten me fat, meqë stadiumi Fadil Vokri në Prishtinë pritet të jetë i stërmbushur deri në ulësen e fundit, plot 13 mijë tifozë, aq sa është edhe kapaciteti i stadiumit.
Para ndeshjes, në një konferencë për media, trajneri Ilir Daja tha se stili i lojës së aplikuar deri më tani ka sjellë rezultatet e mira dhe kjo formë e lojës nuk do të ndryshojë as në vazhdim të kësaj gare.
Ai premton se do të vazhdojnë me lojë sulmuese.
“Do vazhdojmë të mos jemi cinikë, do të vazhdojmë të bëjmë ashtu siç kemi bërë deri më tani sepse në fund fare, përveç lojërave të mira që është një garanci për atë që kemi bërë edhe rezultat nuk kanë munguar, ana tjetër që nuk mund të ndryshojmë shumë është fakti që nuk është se po i përgatisim shumë ndeshjet e këtij kompeticioni, pra grupeve të Ligës së Konferencës sepse kemi shumë pak ditë në dispozicioni pasi luftojmë paralelisht edhe për kampionatin vendor”, tha Daja. Ndryshe, trajneri Ilir Daja, ka theksuar se nuk u druhen kundërshtarëve në këtë grup, pavarësisht faktit se e ata kanë eksperiencë më të madhe.

TRT Balkan / agjencitë