Në një atmosferë briliante në Air Albania Arena, boksieri shqiptar Florian Marku u shpall kampion në boks për peshën “welterweight” në versionin WBC Silver duke mposhtur me pikë meksikanin Miguel Parra Ramirez.
Ndonëse ndeshja në letër parashikohej të jetë më e lehtë për Markun, por që nga raundi i parë, Ramirez tregoi se do të ishte një kockë e fortë, dhe arriti ta çonte ndeshjen deri në raundin e fundit. Pas 10 raundesh të luftuar, ku të dy boksierët treguan nivel të lartë, shqiptari fitoi takimin me vendim unanim të gjyqtarëve, 96-91, 96-92, 95-92.
Pas ndeshjes Marku thurri lëvdata për kundërshtarin e tij, dhe u shpreh i ngazëllyer për fitoren.
“Meksikanët janë të fortë, siç e patë sot, kushdo që vjen këtu jep shpirtin për fitoren. Ju falënderoj nga zemra të gjithë ju që keni ardhur këtu. Nuk jam Superman, por ju premtoj se do të jap shpirtin dhe nuk do të dorëzohem kurrë”, tha Marku pas ndeshjes.
Kujtojmë që ditë më parë Marku u takua me kryeministrin shqiptar dhe morri mbështetjen morale për këtë ndeshje të rëndësishme.