Erdoğan: Të punojmë së bashku për një sistem të balancuar botëror       / Foto: AA

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan ka theksuar se nuk ka asnjë mekanizëm institucional në botë që mund të mbrojë në mënyrë efektive të shtypurit dhe të ndalojë shtypësit, gjë që është bërë e dukshme me ofensivën çnjerëzore të Izraelit mbi 230-ditore kundër Gazës së Palestinës.

"Ne duhet të punojmë së bashku për krijimin e një sistemi më të balancuar, më të drejtë dhe gjithëpërfshirës," tha Erdoğan të premten në Samitin e Parë global Albaraka në Istanbull, i titulluar Perspektivat Globale për Ekonominë Islame: Bazat dhe Nevojat.

Ai nënvizoi se sistemi global duhet të ridizajnohet me të gjitha elementet në përputhje me realitetet e sotme.

Urë lidhëse ndërmjet tregjeve financiare

Erdoğan tha se shumë tema, duke përfshirë ekonominë islame dhe parimet e saj morale, instrumentet islame të investimeve, rritjen e qëndrueshme, ndërmarrjet e orientuara drejt fitimit dhe konceptet e vakëfit dhe zekatit, do të diskutohen në këtë ngjarje.

“Është gjithashtu e rëndësishme që një samit i tillë po organizohet në vendin tonë”, tha ai.

“Türkiye, e cila historikisht ka shërbyer si një urë tregtare dhe humanitare midis Lindjes dhe Perëndimit, ka filluar të luajë të njëjtin rol midis tregjeve financiare”, tha presidenti turk.

“Qendra Financiare e Istanbullit, të cilën Türkiye e hapi vitin e kaluar, është bërë një simbol i përpjekjeve dhe vizionit të vendit”, shtoi ai.

Erdoğan tha se investitorët ndërkombëtarë kanë konfirmuar se Istanbulli ka potencial të madh në financa dhe financa islame.

"Samiti i Albarakës do të shpresojmë të mbështesë përpjekjet tona për të ngritur pozicionin e Istanbullit si një qendër financiare rajonale në nivel global," shtoi ai.

TRT Balkan / agjencitë