Türkiye favorizon dhe punon për një armëpushim në Gaza dhe një zgjidhje me dy shtete të konfliktit Palestinë-Izrael, përsëriti të enjten ministri i jashtëm i vendit.
“Së pari, ne po bëjmë përpjekje për të siguruar një armëpushim, për të ofruar ndihma humanitare dhe për të parandaluar dëbimin e palestinezëve nga Gaza”, tha Hakan Fidan në parlamentin turk.
Ai theksoi se paqja dhe siguria e qëndrueshme mund të vendosen vetëm me një zgjidhje me dy shtete.
“Problemi nuk mund të zgjidhet para se të përfundojë pushtimi izraelit. Një shtet sovran dhe i pavarur palestinez duhet të krijohet sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Fidan.
Duke nënvizuar rëndësinë e trajtimit të problemit nga vendet e rajonit, ai tha se mekanizmi garantues që propozoi Türkiye e parashikon këtë çështje, pasi konflikti prek thellë gjithë rajonin.
“Ne vazhdojmë të angazhohemi në iniciativat ndërkombëtare së bashku me kolegët e mi në Grupin e Kontaktit të Gazës, i krijuar si rezultat i Samitit të Jashtëzakonshëm të Përbashkët të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik dhe Ligës Arabe”, tha ai.
Grupi i Kontaktit u mundësoi vendeve islamike që së bashku të ndërmarrin iniciativa diplomatike duke mbajtur një qëndrim të përbashkët, vuri në dukje ai.
Komuniteti ndërkombëtar u detyrua të mbajë një qëndrim si rezultat i përpjekjeve të grupit të kontaktit, shtoi ai.
Më 12 dhjetor, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, një projektrezolutë për një armëpushim humanitar emergjent u pranua me 153 vota.
“Krahasuar me votimin e 26 tetorit, ndryshimi në qëndrimin e 27 vendeve, të cilat më parë abstenuan, në favor të Palestinës është një tregues se kontaktet tona diplomatike janë efektive,” shtoi ai.
Të mërkurën, votimi mbi një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për pezullim të armiqësive në Gaza për të ofruar ndihma u shty për të tretën ditë radhazi.
Pesëmbëdhjetë anëtarë të Këshillit pritet të votojnë të enjten për rezolutën, e cila fillimisht u shty të hënën.
Teksti, i hartuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), bën thirrje për pezullimin urgjent të armiqësive për të lejuar akses të sigurt dhe të papenguar humanitar dhe për hapa urgjente drejt një ndërprerjeje të qëndrueshme të armiqësive.
Duke kujtuar se më shumë se 20.000 civilë të pafajshëm, duke përfshirë 70% të të cilëve ishin fëmijë dhe gra, janë vrarë në Gaza, ai tha se ishte alarmante që disa vende perëndimore "mbështesin publikisht masakrat dhe krimet e luftës të Izraelit".
Në lidhje me përpjekjet humanitare, ministri tha se Türkiye deri më tani ka dërguar 2.500 tonë ndihma humanitare për palestinezët.
“Ne kemi sjellë edhe 283 të sëmurë me kancer dhe të lënduar në vendin tonë. Përpjekjet tona për të krijuar një spital fushor në Gaza vazhdojnë”, shtoi ai.
Türkiye gjithashtu evakuoi gjithsej 1.149 persona nga Gaza dhe "vazhdon evakuimi i qytetarëve tanë të mbetur dhe anëtarëve të familjeve të tyre duke synuar ta përfundojnë atë në mënyrë të sigurt sa më shpejt të jetë e mundur," tha ai.
Fidan tha gjithashtu se presidenti iranian Ebrahim Raisi së shpejti do të vizitojë Türkiyen për takimin e 8-të të Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Türkiye-Iran.
Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi i 7 tetorit nga Hamasi, duke vrarë afro 20.000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe duke plagosur më shumë se 52.000 të tjerë, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavë. Ka pasur gjithashtu një shkatërrim të gjerë të shtëpive dhe infrastrukturës tjetër, përveç mungesës së ushqimit, ujit dhe ilaçeve.
Izraeli thotë se 1.200 njerëz u vranë në inkursionin e 7 tetorit nga Hamasi.