Izraeli me kërkesa ndaj ShBA-së për t’u dhënë fund sulmeve në Liban. / Foto: AA Archive

Pretendohet se qeveria izraelite i ka përcjellë ShBA-së një dokument që përmban "kushtet diplomatike" për t'u dhënë fund sulmeve të tij në Liban.

Faqja e lajmeve "Walla" e Izraelit pretendon se qeveria e Tel Avivit njoftoi Uashingtonin javën e kaluar për "kërkesat" e tij për t'u dhënë fund sulmeve në Liban.

Thuhet se dokumenti që përmban kërkesat e përgatitura nga zyra e kryeministrit izraelit është dërguar në Shtëpinë e Bardhë para vizitës në Bejrut të Amos Hochstein, këshilltarit të lartë të presidentit amerikan Joe Biden.

Në lajmin e bazuar në zyrtarë të paidentifikuar, thuhet se një nga kërkesat e parashtruara nga qeveria e Tel Avivit për t'u dhënë fund sulmeve në Liban është "lejimi i ushtrisë izraelite të ndërmarrë veprime aktive për të parandaluar riarmatimin e Hezbollahut dhe rindërtimin e infrastrukturës ushtarake në jug të Libanit".

Përveç kësaj, u vu re se qeveria e Tel Avivit ka kërkuar "lirinë e operacioneve" për Forcat Ajrore izraelite në Liban. Këto dy kërkesa të paraqitura nga Izraeli vihet në dukje se janë në kundërshtim me rezolutën nr. 1701 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB).

Një zyrtar amerikan i paidentifikuar tha se këto kërkesa izraelite do të dobësonin sovranitetin e Libanit dhe se është e vogël mundësia që qeveria e Bejrutit t'i pranojë këto kushte. Këshilltari i lartë i Bidenit, Hochstein pritet të vizitojë Bejrutin sot dhe të takohet me zyrtarë libanezë në kuadër të përpjekjeve për të vendosur një armëpushim midis Izraelit dhe Hezbollahut.

Rezoluta nr. 1701 e KS-OKB-së

Rezoluta nr. 1701 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së parashikon që Izraeli të tërhiqet pas "Vijës së kaltër" dhe të çmilitarizojë zonën midis kësaj linje dhe lumit Litani në Liban dhe që këtu vetëm ushtria libaneze dhe Forca e Përkohshme e Paqes e Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL) të kenë armë dhe pajisje ushtarake.

Por, pothuajse të gjitha zonat midis lumit Litani në Libanin jugor dhe "Vijës së kaltër" e cila përcaktohet si kufiri me Izraelin, kanë qenë nën ndikimin e fortë ushtarak të Hezbollahut që nga viti 2000.

TRT Balkan / agjencitë