Kryediplomati i Spanjës: Operacioni ushtarak izraelit në Rafah duhet të ndalet
Pavarësisht paralajmërimeve ndërkombëtare, ushtria izraelite zgjeroi operacionet e saj ushtarake në Rripin e Gazës shtatë ditë më parë duke nisur një operacion tokësor në qytetin Rafah në jug të enklavës së bllokuar.
Ministri i Jashtëm i Spanjës Jose Manuel Albares dënoi Izraelin për sulmin në Rafah dhe kërkoi të ndalojë ofensivën.
"Evakuimi i mijëra palestinezëve është i papranueshëm. Operacioni ushtarak në Rafah duhet të ndalet dhe një krizë humanitare edhe më tragjike duhet të parandalohet. Ne kërkojmë respektimin e ligjit ndërkombëtar humanitar, mbrojtjen e civilëve dhe qasjen në ndihma humanitare", shkruan Albares në rrjetet social.
Pavarësisht paralajmërimeve ndërkombëtare, ushtria izraelite zgjeroi operacionet e saj ushtarake në Rripin e Gazës shtatë ditë më parë duke nisur një operacion tokësor në qytetin Rafah në jug të enklavës së bllokuar, si dhe duke depërtuar në vendbanimin Zeitoun në juglindje të qytetit të Gazës dhe duke kryer operacione të mëdha ushtarake në qytet dhe kampin e refugjatëve Jabalia në veri të Rripit të Gazës.
Më shumë se 35.000 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 76.600 janë plagosur në sulmet brutale izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori i vitit të kaluar.
I akuzuar për gjenocid, Izraeli zbaton gjithashtu një bllokadë të Rripit të Gazës dhe nuk lejon hyrjen e ndihmave humanitare që mbajnë gjallë 2,3 milionë palestinezët atje.
Më shumë se shtatë muaj pas fillimit të luftës së Izraelit, pjesë të mëdha të Rripit të Gazës janë në gërmadha, ndërsa 85 për qind e popullsisë së enklavës është e zhvendosur brenda vendit.
Izraeli akuzohet për gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të siguruar që ndihma humanitare të ofrohet për civilët në Gaza.