Presidenti turk Erdoğan: Izraeli duhet të heqë dorë nga ambiciet ekspansioniste / Photo: AA

Izraeli duhet të heqë dorë nga planet e tij ekspansioniste dhe të pranojë një zgjidhje me dy shtete, ka thënë presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan. Duke folur në Samitin e Qeverive Botërore në Dubai të martën, Erdoğan tha: "Nëse Izraeli dëshiron paqe të qëndrueshme, ai duhet të ndalojë së ndjekuri ambiciet e tij ekspansioniste dhe të pranojë ekzistencën e një shteti të pavarur palestinez të bazuar në kufijtë e vitit 1967". "Izraeli, i cili e konsideron veten mbi ligjin ndërkombëtar, nuk ka braktisur politikat e tij të okupimit, uzurpimit, shkatërrimit dhe masakrës për dekada të tëra”, tha presidenti turk.

Ai u kërkoi gjithashtu vendeve "të ndërgjegjshme" të mbështesin agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë ose UNRWA, duke e përshëndetur atë si "një litar shpëtimi për 6 milionë refugjatë në Jordani, Siri, Liban dhe Palestinë".

"Ne kurrë nuk do t'i lëmë vëllezërit tanë palestinezë të braktisur, të pafuqishëm ose vetëm," shtoi ai.

Vizitë dyditore në Emiratet e Bashkuara Arabe

Erdoğan mbërriti në Emiratet e Bashkuara Arabe të martën herët, si pjesë e një vizite dyditore për të marrë pjesë në samit.

Ai do t'i drejtohet samitit treditor, me temën e sivjetme "Formimi i qeverive të së ardhmes", i cili po mbledh së bashku zyrtarë shtetërorë dhe qeveritarë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, sektorin privat, akademi, shoqërië civile, institucione të kërkimit, media dhe biznesmenë nga vende të ndryshme.

Lufta e Izraelit në Gaza Që nga sulmi i papritur ndërkufitar nga grupi i rezistencës palestineze Hamas më 7 tetor, i cili vrau rreth 1.200 njerëz, ofensiva izraelite në Gaza ka vrarë më shumë se 28.000 njerëz dhe ka shkaktuar shkatërrim masiv dhe mungesë të gjërave të nevojshme.

Sipas OKB-së, lufta izraelite në Gaza ka shtyrë 85% të popullsisë së territorit në zhvendosje të brendshme mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60% e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

TRT World