Gati 300 njerëz janë vrarë në Sudan për shkak të përleshjeve të vazhdueshme midis ushtrisë dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë paraushtarake (RSF), tha të mërkurën (19 prill) kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh).
"Situata në Sudan është gjithnjë e më shqetësuese dhe zemërthyese. Pothuajse 300 njerëz kanë vdekur deri më tani dhe mbi 3.000 janë plagosur. Dënoj të gjitha humbjet e jetëve, veçanërisht sulmet ndaj civilëve dhe kujdesit shëndetësor," tha drejtori i përgjithshëm i OBSh-së Tedros Adhanom Ghebreyesus në Twitter.
Ai tha se mungesa e qasjes së sigurt e energjisë elektrike, ushqimit, ujit, personelit dhe pakësimi i furnizimeve mjekësore po e bëjnë pothuajse të pamundur funksionimin e shumë objekteve shëndetësore në kohën e saktë kur ka mijëra të lënduar që kanë nevojë për kujdes urgjent.
Shefi i OBSh-së përsëriti thirrjen e tij për të gjitha palët që t'i kushtojnë vëmendje thirrjes për një pauzë humanitare, e cila ai tha se do t'i lejojë ata të bllokuar nga luftimet të kërkojnë strehim.
Civilët gjithashtu do të jenë në gjendje të kenë qasje në ushqim, ujë dhe ilaçe dhe pacientët mund të kërkojnë kujdesin shëndetësor që u nevojitet në këtë pauzë, tha Ghebreyesus.
“Paqja është zgjidhja e vetme”, shtoi ai.
Luftimet u ndezën për të pestën ditë mes ushtrisë sudaneze dhe luftëtarëve të RSF-së në kryeqytetin Khartoum dhe zonat përreth.
Ndërsa RSF akuzoi ushtrinë se kishte sulmuar forcat e saj në jug të Khartoum me armë të lehta dhe të rënda, ushtria tha se forca paraushtarake po "përhap gënjeshtra" dhe e shpalli atë një grup "rebel".