Presidenti i ShBA-së Joe Biden theksoi nevojën për të mbushur boshllëqet e mbetura dhe për të finalizuar armëpushimin dhe marrëveshjen e pengjeve në Gaza gjatë një takimi me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, njoftoi Shtëpia e Bardhë të enjten.
Gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë, Biden dhe Netanyahu diskutuan në detaje zhvillimin e situatës në Gaza dhe negociatat për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve, tha Shtëpia e Bardhë.
"Presidenti Biden shprehu nevojën për të mbushur boshllëqet e mbetura, për të finalizuar marrëveshjen sa më shpejt të jetë e mundur, për të kthyer pengjet në shtëpi dhe për t'i dhënë fund luftës në Gaza përgjithmonë", thuhet në komunikatë.
Biden "vuri në dukje gjithashtu krizën humanitare në Gaza, nevojën për të hequr të gjitha pengesat për rrjedhën e ndihmave dhe rivendosjen e shërbimeve bazë për ata që kanë nevojë, dhe rëndësinë kritike të mbrojtjes së jetëve civile gjatë operacioneve ushtarake."
“Presidenti Biden ripohoi angazhimin e vendosur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sigurinë e Izraelit kundër të gjitha kërcënimeve nga Irani dhe përfaqësuesit e tij, duke përfshirë Hamasin, Hezbollahun dhe Houthit”, theksohet në komunikatë.
Vizita e Netanyahut në Shtëpinë e Bardhë është e para që kur Biden mori detyrën në vitin 2021.
Presioni ndërkombëtar për një armëpushim për t'i dhënë fund gjakderdhjes dhe shkatërrimit në Gaza vazhdon të rritet në kohë kur numri i të vrarë po afrohet në 40.000.
Kryeministri izraelit u takua edhe me nënpresidenten Kamala Harris.
"Unë e kam bërë të qartë shqetësimin tim të madh për situatën e rëndë humanitare atje, me mbi dy milionë njerëz që përballen me nivele të larta të pasigurisë ushqimore dhe gjysmë milioni njerëz përballen me nivele katastrofike të pasigurisë akute ushqimore", u tha Harris gazetarëve pas takimit me dyer të mbyllura me Netanyahun.
Takimi u zhvillua një ditë pasi Netanyahu foli në një seancë të përbashkët të Kongresit Amerikan.