Të paktën 13.430 fëmijë janë vrarë në Gaza që nga 7 tetori.   /Foto: AA

Të paktë 13.430 fëmijë janë vrarë në sulmet ajrore dhe operacionet tokësore izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, njoftoi Zyra për Media në Gaza më 4 mars.

Ata theksuan se 8.900 gra u vranë gjatë 150 ditëve, duke shtuar se 7.000 njerëz, 70 përqind e të cilëve janë gra dhe fëmijë, janë ende nën rrënoja ose të zhdukur.

Zyra për media bëri të ditur se në atë periudhë kanë humbur jetën 364 punëtorë shëndetësorë dhe 132 gazetarë.

Duke paralajmëruar rritjen e urisë në Gaza, zyra tha se Izraeli kishte penguar hyrjen e ushqimeve dhe furnizimeve me ndihma, dhe madje kishte shënjestruar automjetet e ndihmave që përpiqeshin të arrinin në rajon, duke shkaktuar vdekjen e dhjetëra njerëzve që kërkonin ushqim për familjet e tyre.

Izraeli filloi një ofensivë vdekjeprurëse në Rripin e Gazës pasi Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor, duke vrarë të paktën 30.534 njerëz dhe duke plagosur 71.920.

Më 26 janar, pas një padie për gjenocid të ngritur nga Republika e Afrikës së Jugut, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi që Izraeli duhet të përmbahet nga çdo veprim në lidhje me vrasjen, sulmet dhe shkatërrimin e banorëve të Rripit të Gazës dhe të marrë të gjitha masat për të parandaluar gjenocid.

Sulmet, megjithatë, vazhdojnë të pandërprera dhe dërgimi i ndihmave mbetet i pamjaftueshëm për të trajtuar katastrofën humanitare.

TRT Balkan / agjencitë