Nuk u ftua në Samitin e Greqisë, Rama porosi kryeministrit grek / Foto: X - Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama nuk u ftua në Samitin për Ballkanin Perëndimor që po mbahet në Greqi, ku po marrin pjesë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfaqësues të BE-së, presidenti i Ukrainës dhe përfaqësues të disa vendeve ballkanike anëtare të BE-së. Pas heshtjes disaditore, Rama ka komentuar injorimin në një shkrim të publikuar në rrjetin social X, i njohur si Twitter deri para pak kohësh.

Rama thotë se nisma për të diskutuar të ardhmen evropiane të Ballkanit është shumë e rëndësishme, ndërsa po aq e rëndësishme është që Greqia të përfshihet më shumë në këtë rrugë. Megjithatë, sipas tij, duke mos ftuar kryeministrin e Shqipërisë në këtë darkë, Shqipërisë iu dërgua mesazh kontradiktor me qëllimin e kësaj nisme.

“Shpresoj shumë që takimi të ishte produktiv dhe sigurisht, më mirë të mos e kisha parë darkën e përdorur për t'i dërguar Shqipërisë një mesazh kontradiktor kundrejt qëllimit shumë më ambicioz të nismës dhe shpresoj që ky fakt fatkeq të mos hutojë të ftuarit e nderuar. Për sa më përket mua, të flasësh, të komunikosh, të debatosh me miqtë, aleatët, partnerët dhe fqinjët, para së gjithash, është thelbi i politikës ndërkombëtare dhe të përpiqesh, gjithmonë të përpiqesh, të vendosësh veten në vendin e tjetrit është një domosdoshmëri. Aq më tepër kur gjërat duket se shkojnë keq”, shkruan Rama.

Ai thotë se për dallim nga homologu i tij grek, ai e ka ftuar Kyriakos Mitsotakisin në Samitin e Procesit të Berlinit që mbahet në Tiranë këtë tetor.

“Në tetorin e ardhshëm Shqipëria do të kryesojë Samitin e Procesit të Berlinit të këtij viti në Tiranë. Natyrisht, miku im i dashur dhe kolegu shumë i respektuar në Athinë është ftuar të marrë pjesë dhe nuk mund ta imagjinoja kurrë të ftoja në vend të tij Presidentin grek, për të cilin kam edhe respektin më të madh”, shkruan më tej Rama.

Kryeministri i Shqipërisë vlerëson se palë të treta e shfrytëzuan edhe këtë çarje mes Shqipërisë e Greqisë për ta bërë mizën buall, por thotë se ajo që i bashkon vendet fqinje është më e madhe se ajo që i ndan.

“Shumëçka është në rrezik globalisht, që ne të bëhemi peng i politikës së brendshme fisnore”, thotë Rama.

Tensionet mes Shqipërisë dhe Greqisë u rritën pas arrestimit të kandidatit për kryetar të Bashkisë së Himarës, Alfred Beleri, nën akuzat për vepra penale kundër zgjedhjeve. Beleri është i kombësisë greke dhe Greqia e sheh arrestimin e tij si përndjekje politike ndaj pakicës greke. Tirana zyrtare është përgjigjur se çështja “Beleri” është çështje e drejtësisë, para së cilës janë të gjithë të barabartë, pavarësisht përkatësisë etnike.

TRT Balkan