Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka mbërritur në Shqipëri, në kuadër të vizitës së tij të parë në vend.
Në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës "Nënë Tereza, kryediplomati amerikan është pritur nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, zyrtarë të tjerë dhe përfaqësues të Ambasadës së ShBA-së në Tiranë.
Fillimisht Blinken do të takohet me punonjës të Ambasadës amerikane në Tiranë dhe disa të rinj.
Më pas, kryediplomati amerikan do të takohet me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama. Pas përfundimit të takimeve Rama dhe Blinken do të mbajnë një konferencë për mediat.
Në rrjetet sociale, ministri Hasani ka shkruar se "Me kënaqësi mirëpres sekretarin e Shtetit Antony Blinken në vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri".
"Partneriteti dhe bashkëpunimi strategjik i Shqipërisë me ShBA-në, aleatin tonë të vjetër, vetëm sa do të forcohet, i ndërtuar mbi një themel të fortë midis vendeve dhe njerëzve tanë. I jam jashtëzakonisht mirënjohës sekretarit Blinken për mbështetjen dhe bashkëpunimin e tij të paçmuar", ka shkruar Hasani.
Për vizitën e kryediplomatit amerikan janë marrë masa shtesë të sigurisë, duke u angazhuar qindra forca policore dhe duke u bllokuar disa akse rrugore në Tiranë për qarkullimin.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka deklaruar se sekretari Blinken do të rikonfirmojë marrëdhëniet e fuqishme me Shqipërinë, të cilën ShBA-ja e sheh si një "partner kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor" dhe një "aleat të fortë" në mbështetjen ndaj Ukrainës.
Sipas zyrtarëve të DASh-it, vizita njëditore do të fokusohet në të ardhmen Shqipërisë, Ballkanit Perëndimor dhe Evropës.