Kurti kujton masakrat e ‘99-ës: Gjenocidi i Serbisë u përpoq të na shfarosë /    Foto: Albin Kurti/Facebook 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar masakrën e Krushës së Madhe dhe Krushës së Vogël që ndodhi në pranverën e viti 1999, e ku u vranë mbi 300 civilë.

Kurti në një postimi rrjetin social Facebook shkruan se forcat serbe në këto dy fshatara detyruan gratë dhe fëmijët të largoheshin për në Shqipëri, ndërsa ndaj burrave hapën zjarr.

“Në pranverën e vitit 1999, Serbia po realizonte planin gjenocidal “Patkoi” për shfarosjen e popullsisë shqiptare vendase në Kosovë. Në paraditen e 26 marsit, forcat e Serbisë sulmuan fshatrat Krushë e Madhe dhe Krushë e Vogël. I detyruan gratë dhe fëmijët të largoheshin për në Shqipëri. Burrat dhe djemtë i ndaluan. Ua konfiskuan letërnjoftimet dhe artikujt me vlerë. Pastaj hapën zjarr me mitraloz mbi ta. Të shtënat zgjatën disa minuta. Atë ditë, forcat serbe vranë 243 civilë shqiptarë në masakrën në Krushë të Madhe dhe 113 në Krushë të vogël.”

Ai ka përkujtuar edhe masakrën në familjen Berisha në Suharekë, ku u vranë 48 anëtarë të familjes Berisha, përfshirë 11 fëmijë.

“Në orët e hershme të mëngjesit të 26 marsit, tanket serbe rrethuan oborrin e familjes Berisha në Suharekë. I dëbuan familjarët nga shtëpitë dhe i çuan në një kafene. Pastaj hapën zjarr. Hodhën edhe eksplozive. Forcat serbe aty i vranë 48 anëtarë të familjes Berisha, përfshirë 11 fëmijë. Mes tyre, Dorentinën 3-vjeçare, Ismetin 2-vjeçar, ndërsa Eroni dhe Redoni ishin vetëm 1 vjeҫ. Trupat e tyre u dërguan në varrezë masive në Batajnicë, afër Beogradit. Kësaj masakre i mbijetuan vetëm Shyhrete Berisha dhe Vjollca me të birin, Gramoz Berisha”, shkruan kryeministri i Kosovës.

Në të njëjtën ditë, Kurti ka thënë se forcat serbe sulman fshatin Padalishtë të Skenderajt, duke masakruar 19 anëtarë të familjes Imeraj, fshatin Landovicë të Prizrenit ku u vranë 23 banorë, Gjakovën ku u vranë 6 burra.

Sipas Kurtit, të gjitha këto ngjarje janë dëshmi të gjenocidit të Serbisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se themelimin dhe funksionalizimin e Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës do të bëhet dokumentimi i të gjitha krimeve të luftës së fundit në Kosovë, krimeve kundër njerëzimit dhe veprimeve gjenocidale nga Serbia.

TRT Balkan