Mbahet takimi i Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri           / Foto: AA

Në Tiranë po mbahet takimi i 18-të të Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të institucioneve shqiptarëve dhe eurodeputetëve.

Takimi bashkëdrejtohet nga Toni Gogu, kryetar i delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë, dhe Marco Tarquinio, kryetar i delegacionit të Parlamentit Evropian.

Adea Pirdeni, ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin në Qeverinë e Shqipërisë në fjalën e saj u shpreh se hapja e negociatave për grupkapitujt e parë shënon një moment të rëndësishëm dhe është sipas saj dëshmi e të gjitha përpjekjeve që janë bërë për reformat.

"Ne kërkojmë të bëjmë hapa transformues me qëllim që të rrisim besimin tek institucionet tona. Reforma jonë në gjyqësor e ka pozicionuar Shqipërinë si një vend avangardë për sa i përket vendosjes së rregullova për sundimin e ligjit. Konsolidimi i demokracisë është në zemër të përpjekjeve tona dhe është një prioritet për ne", tha Pirdeni.

Gogu theksoi se përkushtimi i Shqipërisë ndaj vlerave demokratike dhe të BE-së është i palëkundur. "Puna jonë vetëm do të intensifikohet ndërsa shkojmë drejt anëtarësimit të plotë (në BE), një rrugëtim që tani kërkon këmbëngulje dhe përshtatshmëri nga të gjitha organet si në nivelin qendror, por dhe në nivelet vendore", tha Gogu.

Gogu u shpreh se progresi që festojnë sot është mundësuar sipas tij nga uniteti i padiskutueshëm i të gjithë qytetarëve të venditi

Në fjalën e tij, Tarquinio u shpreh se dëshirojnë të jenë në anën e Shqipërisë dhe të ofrojnë mbështetje në përpjekjet për reformat.

"Është shumë e rëndësishme për ne që të shikojmë gjitha sfidat që kemi përpara. Problemet e ndryshme që do të diskutojmë do të fokusohen tek kjo temë e veçantë (anëtarësimi i Shqipërisë në BE). Rruga drejt së ardhmes është rruga drejt Evropës. Ne duhet të punojmë me vendosmëri, të punojmë së bashku për të arritur këtë objektiv", tha Tarquinio.

Pjesë e delegacionit të PE-së ishte edhe Alfred Beleri, i cili aktualisht është anëtar i Parlamentit Evropian si përfaqësues i Greqisë.

Në vitin e fundit çështja ndaj Belerit shkaktoi debate dhe reagime në Shqipëri dhe Greqi, pasi ai u dënua për veprën penale "Korrupsioni aktiv në zgjedhje" dhe nuk e ushtroi mandatin e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës.

Vizita në Tiranë e Belerit u prit me kundërshtime nga disa qytetarë, të cilët hodhën edhe vezë ndaj tij.

Takimi i Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri do të vazhdojë edhe gjatë ditës së nesërme.

TRT Balkan / agjencitë