Shumë qytetarë të vendeve tona po mendojnë mënyra se si t’u ndihmojnë palestinezëve në Gaza, të cilët tashmë një vit po vuajnë nga uria, në mes të sulmeve të pamëshirshme izraelite.
Zubejda Murtezi Fazliu ka gjetur një mënyrë unike: Në dyqanin e saj të vogël në Çarshinë e Shkupit shet shalla me motive palestineze dhe mbishkrimin Free Palestine, ndërsa paratë nga shitja e këtyre shallave do t’i dhurojë për Gazën.
“E kemi bërë një shall që është prodhuar këtu në Maqedoni. Është një shall me simbolikën e rezistencës së popullit palestinez”, thotë Zubejda për TRT Balkan.
Ajo shpjegon se e ndërmori këtë iniciativë pasi u prek nga pamjet që vijnë çdo ditë nga Gaza, e që dëshmojnë vuajtjet e palestinezëve.
“Ideja për prodhimin e shallit ka ardhur duke parë gjendjen e vështirë të luftës që po zhvillohet në Palestinë, kushtet e vështira në të cilat ndodhet popullata. Andaj, ne kemi parë të arsyeshme ta bëjmë këtë projekt nën moton "një shall, një dorë e zgjatur" i cili ka qëllim humanitar. Të gjitha beneficionet nga shitja e këtij shalli do të shkojnë për ndihmë te populli atje, tek të prekurit nga lufta, në kampet e refugjatëve në Palestinë”, thotë Zubejda Murtezi Fazliu.
Deri tani, shumë qytetarë nga rajoni i janë bashkuar kësaj nisme.
“Ky shall prej se e kemi nxjerrë në shitje, ka pasur shumë interes. Ka pasur interesim nga qytete të ndryshme të vendit tonë, Kosova dhe Shqipëria. Duhet theksuar se një numër i madh i blerësve kur e kanë kuptuar se ky projekt dhe kjo shitje është me qëllim humanitar, kanë dhënë edhe më shumë të holla se sa ka qenë vlera e shallit”.
Zubejda Murtezi Fazliu shpreson që vuajtja e popullit palestinez të merr fund përfundimisht, ndërsa thotë se ata kanë nevojë për secilin prej nesh, qoftë edhe për zërin tonë.
“Unë mendoj se çdo njeri në këtë botë meriton të jetë i lirë dhe të jetojë në paqe, dhe të shfrytëzojë të gjitha të drejtat e tij. Mendoj se ndihma jonë ndaj tyre duhet të fillojë me ngritjen e zërit nëpër rrjete sociale, diskutime të ndryshme që i kemi për çështjen e Palestinës, për vuajtjet dhe gjendjen e vështirë në të cilën gjendjen fëmijët, familjet, gratë. Pastaj me mundësitë tona edhe me forma materiale që sado pak t’ua zbusim dhimbjet dhe vuajtjet nëpër të cilat po kalojnë”, përfundon Zubejda.
Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori i vitit të kaluar, janë vrarë 42.847 palestinezë, përfshirë rreth 17 mijë fëmijë dhe 11.378 gra, ndërsa 100.544 të tjerë u plagosën.
Qindra mijëra banorë të Gazës përballen me mungesë të ushqimit, ujit të pijshëm dhe ilaçeve.