Rama: “Të jetosh pa BE-në nuk është e lehtë” / Foto: ATA

Samiti i Procesit të Berlinit në Tiranë u hap pikërisht me fjalimin e nikoqirit, kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama.

Ai u shpreh se “premtimet ekonomike të Procesit të Berlinit nuk janë realizuar akoma”.

“Disa nga përfaqësuesit e vendeve këtu janë nga BE-ja. Disa të tjerë, si ne, janë nga ‘E’ pa ‘B’. Por, të gjithë ne besojmë fort në nevojën e një çatie të përbashkët, tryeze të bashkëndarë dhe një llogorje të përbashkët në këto kohë sprove që duken se do të përkeqësohen para se të përmirësohen”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se një luftë në prag të Europës na ka treguar se bota po ndryshon shumë më shpejt dhe ndryshe nga sa e kemi parashikuar shumica prej nesh.

“Kemi një sulm shkatërrues kundrejt Izraelit. Jemi solidarë me Izraelin, por përhapja e tmerrshme e urrejtjes dëshmon se pikëpamje të ndryshme rreth botës po krijojnë ndasi. Si po reagojmë ne ndaj kësaj skene që zhvillohet përtej kufjeve tanë? Ndërkohë që ne jemi të bashkuar kundër veprimeve të Rusisë në Ukrainë a po përgatisim një përgjigje për sfidat që kemi para?”, tha Rama.

Sipas tij, “ka shumë sfida përpara, por për të gjithë ne këtu, sfida më e madhe është ndarja e dhimbshme mes anëtarëve të BE-së dhe jo anëtarëve të BE-së”.

“Të jetosh pa BE-në nuk është e lehtë”, shtoi ai.

Ai më tutje vijoi duke thënë se “premtimet ekonomike të Procesit të Berlinit nuk janë realizuar plotësisht, sidomos kur krahasohet kjo edhe me mendësinë transformuese që ka sjellë ky proces”.

“Merkel e theksoi këtë në takimin e Polonisë. Ajo tha se demokracia pa infrastrukturë nuk mund të funksionojë si duhet”, theksoi ai.

Duke vlerësuar planin e ri ekonomik, Rama theksoi se tashmë po ndërmarrim hapa domethënës për ndryshime kryesore politike dhe ekonomike në Ballkanin Perëndimor.

“Ky është hapi i parë i guximshëm pas përsëritjeve dëshpëruese të të marrit me një sërë dokumentesh. Tashmë jemi në pikën kur diskutojmë për ekonominë”, theksoi Rama.

TRT Balkan / agjencitë