Samiti në Tiranë, Rama-Zelenskyy: Dhënia fund luftës, punë e të gjithëve / Foto: AA

Në Shqipëri është mbajtur Samiti Ukrainë - Evropa Juglindore, me pjesëmarrjen e liderëve nga vendet e Evropës Juglindore dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, si bashkorganizatorë të samitit pas mbylljes mbajtën një konferencë për shtyp ku dhanë mesazhet e tyre.

Kryeministri Rama deklaroi se do të bëhet gjithçka për të ndihmuar Ukrainën me gjithçka që ka nevojë duke shtuar se është shqetësues që ndihma ndonjëherë ngec.

“Jam i lumtur që ju mbajtët premtimin, ma dhatë kur kishte paqe, para luftës që do të vinit në Shqipëri. Dua t’ju garantoj se tani dhe përherë, Shqipëria është një prej shtëpive tuaja, vendeve ku çdo bashkëqytetar juaji mund të ndihet si në shtëpi. Presim që të forcojmë bashkëpunimin tonë, të punojmë së bashku për mundësitë e bashkëpunimit. Ukraina do të shijojë paqen dhe gjumin pa sirenat e alarmin”, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Rama tha se lufta nuk ndalet duke çarmatosur viktimën, ndërsa ka treguar edhe një mesazh të marrë nga ekipi i cili po punon për ndërtimin e një fondi të teknologjisë së lartë.

Ndërkohë presidenti i Ukrainës, Volodymir Zelensky, falenderoi Shqipërinë për bashkëpunimin dhe ndihmën ndaj vendit të tij.

“Falënderoj popullin tuaj dhe të gjithë shqiptarët për mbështetjen e sinqertë që keni dhënë për Ukrainën. Ju falënderojmë për mbështetjen e të gjithë paketave të ndihmës për ne. Jemi falënderues për kolegët që punojnë bashkë për rritjen ekonomike. Duhet të bëjmë gjithçka për vijimin e furnizimit me armatime. Duhet të keni besim te ne dhe për stabilitetin që do t’i sjellim BE-së. Mbështesim integrimin ne vendeve të BE. Faleminderit për bashkëpunimin dhe vullnetin e qartë. Ukraina dhe i gjithë rajoni i Evropës juglindore duhet të vijojë bashkëpunimin.Lufta është filluar nga një person i vetëm, por përfundimi i saj duhet të jetë një punë e të gjithëve ne”, u shpreh ai.

Përveç presidentit Zelenskyy dhe kryeministrit Rama, pjesë e samitit ishin edhe Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, presidenti i Malit të Zi Jakov Millatoviq, presidentja e Moldavisë Maia Sandu, kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviq dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Krishto.

Pas mbylljes së punimeve, liderët e pranishëm në Samit kanë realizuar foton familjare.

TRT Balkan / agjencitë