Shqipëri, përjashtimi i deputetëve opozitarë krijon tensione para Kuvendit          / Foto: AA

Kuvendi i Shqipërisë është përfshirë sërish nga tensionet ditën e sotme, pasi deputetët e opozitës të përjashtuar nga punimet e parlamentit janë përplasur me punonjësit e Gardës.

Tensionet e sotme nisën para fillimit të seancës në ambientet e jashtme të sallës së seancave plenare të Kuvendit, ku deputetët e Partisë Demokratike të përjashtuar për të marrë pjesë në seancë për shkak të tensioneve në seancën e kaluar u përplasën me punonjësit e Gardës së Shqipërisë.

Punonjësit e Gardës së Shqipërisë nuk kanë lejuar deputetët e opozitës të përjashtuar që të hyjnë në seancën plenare, ku më pas kanë vijuar tensionet.

Deputetët e opozitës gjithashtu kanë penguar fillimisht në disa hyrje edhe disa nga ministrat dhe deputetët e partisë në pushtet, Partisë Socialiste të Shqipërisë, që të hyjnë në ambientet e brendshme të sallës së seancave plenare.

Gjatë tensioneve jashtë, përfaqësuesit e Partisë Demokratike dogjën disa manekinë, duke shkaktuar edhe zjarr.

Ndërkohë, pavarësisht tensioneve në ambientet e jashtme, seanca plenare e planifikuar për sot u mbajt me pjesëmarrjen e deputetëve të Partisë Socialiste, duke zgjatur rreth 28 minuta.

Kuvendi i Shqipërisë më 30 shtator u përfshi nga tensionet në seancën parlamentare, ku deputetët e opozitës pas përplasjeve dhe tensioneve brenda sallës së seancës dogjën edhe karriget e tyre në ambientet e jashtme të parlamentit.

Për shkak të tensioneve në seancën e kaluar, Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën pranë Kuvendit të Shqipërisë përjashtoi nga punimet e Kuvendit 24 deputetë të opozitës, prej tyre 3 me dy muaj, 20 deputetë me 40 ditë dhe një deputet me 10 ditë.

Tensionet nisën për shkak të dënimit me 1 vit burg të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i cili aktualisht ndodhet në burg. Salianji është akuzuar nga autoritetet se disa vite më parë ka publikuar një audio-përgjim të rremë në lidhje me trafikun drogës dhe përfshirjen e një të afërmi të ish-ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Fatmir Xhafaj.

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë më 26 shtator 2024 la në fuqi vendimin e dhjetorit 2019 të shkallës së parë për dënimin me 1 vit burg për ish-deputetin Salianji, për veprën penale "kallëzim i rremë".

PD pretendon se vendimi i gjykatës së apelit është i padrejtë dhe politik dhe ka paralajmëruar vijimin e bllokimit të punimeve të Kuvendit të Shqipërisë dhe nisjen e protestave.

TRT Balkan / agjencitë