“Si Ministri e Arsimit dhe e Sportit, kemi vendosur që viti 2024 të jetë një vit kushtuar gjuhës shqipe. Do të kemi një kalendar të pasur aktivitetesh”, shprehet ministrja e Arsimit dhe e Sportit e Shqipërisë, në videomesazhin me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Arsimit. Duke shënuar 24 janarin, Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, ministrja e Arsimit dhe e Sportit e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, njoftoi se viti 2024 është shpallur si “Viti i Gjuhës Shqipe”.
Sipas saj, ky vendim tregon rëndësinë që arsimi dhe gjuha shqipe kanë në zhvillimin e identitetit kombëtar.
“Sot është Dita Ndërkombëtare e Arsimit! Një ditë, e cila drejton vëmendjen te rëndësia e edukimit si ura që përçon vlerat që bashkojnë kombet, që ushqen paqen dhe progresin mes vendeve. Investimi në arsim mbetet prioritet mbi prioritetet. Përmes arsimit, mundemi të rrisim zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, të nxisim inovacionin dhe të mbështesim më tej kohezionin social”, u shpreh Manastirliu në një videomesazh.
Tutje në videomesazhin e shpërndarë në rrjetet social, ajo shton se “Arsimi qëndron në themel të progresit dhe në shkollat tona ne kemi të gjithë potencialin e duhur për të çuar vendin tonë përpara”. Ministria e Arsimit dhe e Sportit me rastin e “Vitit të Gjuhës Shqipe” ka planifikuar një sërë aktivitetesh në rang kombëtar dhe mbarëkombëtar ku do të përfshihen të gjitha shkollat në vend por edhe në diasporë.
“Si Ministri e Arsimit dhe e Sportit, kemi vendosur që viti 2024 të jetë një vit kushtuar gjuhës shqipe. Do të kemi një kalendar të pasur aktivitetesh, me nisma dhe projekte që do të fillojnë këtë vit dhe gjithashtu me projekte të cilat i finalizojmë së bashku në shkolla, universitete, brenda dhe jashtë vendit, si dhe me pjesëmarrjen e diasporës shqiptare në botë”, tha Manastirliu duke renditur aktivitetet më të rëndësishme të këtij viti kalendarik dedikuar, ruajtjes dhe pasurimit të gjuhës shqipe.
Aktivitetet do të kulmojnë më 22 Nëntor në Ditën Kombëtare të Alfabetit Shqip.