Këshilli i Apelit i Mekanizmit Ndërkombëtar të Mbetur për Gjykatat Penale (IMCR) sot ka nxjerrë aktgjykimin përfundimtar me të cilin ish-shefi i Shërbimit të Sigurisë Shtetërore (SDB) të MPB-së së Serbisë Jovica Stanishiq, dhe Franko Simatoviq ish-komandanti i Njësisë së Operacioneve Speciale (JSO) të SDB-së, janë dënuar me nga 15 vjet burg.
Sipas aktakuzës së Tribunalit të Hagës nga viti 2008, Stanishiq dhe Simatoviq u akuzuan për pjesëmarrje në një ndërmarrje të përbashkët kriminale (JCEU), të udhëhequr nga presidenti i atëhershëm i Serbisë, Sllobodan Millosheviq, qëllimi i të cilit ishte të largonte boshnjakët dhe kroatët nga pjesë të territoreve të Bosnjë-Hercegovinës dhe Kroacisë me qëllim të krijimit të një shteti etnikisht të pastër serb.
Vendimi u dha nga një panel pesëanëtarësh i Mekanizmit të kryesuar nga kryesuesja Graciela Gatti Santana dhe gjyqtarët Lee G. Muthoga, Aminatta Lois Runeni N'gum, Yusuf Aksar dhe Claudia Hoefer.
Simatoviq e ka dëgjuar shpalljen e aktgjykimit në sallën e gjyqit, ndërsa Stanishiq e ka përcjellë nëpërmjet videolidhjes nga njësia e paraburgimit në Hagë.
Me aktgjykimin e sotëm janë shfuqizuar dënimet e shkallës së parë prej 12 vjetësh, kështu Stanishiq dhe Simatoviq janë dënuar me nga 15 vjet burgim.
Kolegji i Apelit pranoi ankesën e prokurorisë dhe arriti në përfundimin se ata ishin përgjegjës për një ndërmarrje të përbashkët kriminale (JCED) qëllimi i së cilës ishte largimi i dhunshëm i popullsisë joserbe gjatë gjithë kohëzgjatjes së luftës në Bosnjë-Hercegovinë.
Kolegji i apelit gjithashtu hodhi poshtë pretendimet nga ankesat e Simatoviqit dhe Stanishiqit.
Me këtë aktgjykim ata janë shpallur fajtorë edhe për krimet në Bijeljina, Zvornik, Doboj, Tërnovo, Bosanski Samac dhe Sanski Most.