Vuçiq dhe Macron firmosin marrëveshjen për blerjen e 12 avionëve Rafale         / Foto: AA

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka filluar vizitën dyditore në Serbi me një takim me homologun serb Aleksandar Vuçiq pasditen e sotme. Vuçiq dhe Macron, mes të tjerash, firmosën marrëveshjen për shitjen e 12 avionëve Rafale, të cilat do t’i kushtojnë Serbisë 2,7 miliardë euro.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vlerësuar sonte se blerja e 12 avionëve francezë shumëfunksionalë "Rafale" është një lajm i madh për Serbinë.

"12 avionë krejt të rinj do të jenë në pronësi të Republikës së Serbisë. Ky është një lajm i madh për ne. Do të kontribuojë në një rritje të konsiderueshme të aftësive operacionale të ushtrisë sonë, një qasje krejtësisht e ndryshme. Ne jemi gjithashtu të lumtur që bëhemi pjesë e klubit Rafale dhe faleminderit Presidentit të Francës (Emmanuel Macron) që mori një vendim të tillë, i cili na mundësoi të blejmë Rafale të reja”, tha Vuçiq në një fjalim në Pallatin e Serbisë, pas shkëmbimit të kontratave të nënshkruara ndërmjet Serbisë dhe Francës.

Presidenti i Serbisë tha se presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka treguar edhe një herë respektin e tij për popullin serb duke vizituar Serbinë.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, nga ana tjetër, tha se Serbia e ka vendin në Bashkimin Evropian dhe se BE-së i duhet një Serbi e fortë, ndërsa Serbia ka nevojë për një BE të fortë dhe sovrane për të mbrojtur interesat e saj.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Pallatin e Serbisë, Macron tha se u kthye në Serbi për të parë se si mund të ecim përpara së bashku.

"Në pesë vitet e fundit ka ecur shumë, ka ndryshuar shumë, pavarësisht situatës në skenën ndërkombëtare. Në pesë vitet e fundit marrëdhëniet dhe partneriteti ynë ndërkombëtar përjetoi një ngritje të re. Aty është bashkëpunimi ynë ekonomik, kompanitë franceze janë angazhuar në projektet afatgjata infrastrukturore si metroja e Beogradit, modernizimi i aeroportit Nikola Tesla, ku nesër do të shënojmë punimet e përfunduara me sukses, modernizimin e rrjetit të furnizimit me energji elektrike, menaxhimin e mbetjeve apo bashkëpunimin në fushën e shëndetit”, tha Macron.

TRT Balkan / agjencitë