Blinken: Irani pritet të sulmojë Izraelin në 24-48 orët në vazhdim / Photo: AA

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, raportohet se ka thënë në një bisedë telefonike me ministrat e jashtëm të vendeve të G7-s se Irani dhe Hezbollahu mund të sulmojnë Izraelin brenda 24-48 orëve, transmeton Anadolu.

Sipas tri burimeve të informuara për telefonatën, të cilët folën për faqen e uebit me bazë në ShBA Axios, Blinken deklaroi se ShBA-ja beson se Irani dhe Hezbollahu do të hakmerren.

Blinken lajmëroi ministrat e jashtëm të vendeve të G7-s se është e paqartë se si do të hakmerret Irani, dhe se një sulm i mundshëm"mund të fillojë brenda 24-48 orëve të ardhshme".

Sipas Blinkenit, ShBA-ja po bën përpjekje për të kufizuar sa më shumë sulmet e Iranit dhe Hezbollahut dhe më pas të thyejnë ciklin e përshkallëzimit të tensioneve duke frenuar reagimin e Izraelit.

Duke u bërë thirrje ministrave të jashtëm të G7-ës që të bëjnë presion diplomatik ndaj Iranit, Hezbollahut dhe Izraelit për të treguar përmbajtje, Blinken deklaroi se rritja e numrit të forcave amerikane në rajon është për qëllime mbrojtëse.

Një burim që mori pjesë në takim tha se Blinken "dukej i zhgënjyer" ndërsa informonte ministrat për bisedimet e fundit me Izraelin për të burgosurit në Gaza dhe marrëveshjen e armëpushimit.

Sipas një deklarate me shkrim nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Blinken ka folur në telefon me ministrat e jashtëm të vendeve të G7-ës "për të diskutuar nevojën urgjente" për të ulur tensionet në Lindjen e Mesme.

Ministrat diskutuan përpjekjet për të arritur një armëpushim që do të sigurojë lirimin e pengjeve dhe dërgimin e ndihmave humanitare në Gaza.

Duke diskutuar se si armëpushimi që do të vendosej në Gaza do t'i hapte rrugën paqes dhe stabilitetit në rajon, duke përfshirë vijën kufitare midis Izraelit dhe Libanit, të quajtur "Vija Blu", ministrat përsëritën "angazhimin e tyre për sigurinë e Izraelit" dhe bënë thirrje për kufizim maksimal nga të gjitha palët për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit.

AA