Lideri i Hamasit: Bijtë e mi dhanë jetën për çlirimin e Kudsit dhe Al-Aksës / Foto: AA

Kreu i byrosë politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, tre djemtë dhe dy nipërit e të cilit u vranë në një sulm izraelit në Gaza, tha se djemtë e tij sakrifikuan jetën e tyre për çlirimin e Kudsit (Jerusalemit) dhe Xhamisë Al-Aksa.

Televizioni Al Jazeera transmetoi mesazhin e tij pasi tre djemtë dhe dy nipërit e Ismail Haniyeh u vranë në një sulm izraelit ndaj një automjeti në lëvizje në kampin e refugjatëve Al Shatti në qytetin perëndimor të Gazës.

“Falënderoj Allahun që fëmijët e mi u bënë dëshmorë. Fëmijët e mi qëndruan në Gaza dhe nuk u larguan nga Gaza. I gjithë kombi ynë po paguan një çmim të madh me gjakun e fëmijëve të tij. Unë jam vetëm njëri prej tyre”, tha Haniyeh.

Ai theksoi se pas dhimbjes së madhe dhe gjakut të derdhur presin shpresë, të ardhme dhe liri më të madhe për popullin palestinez.

“Ne po i themi Izraelit se ata nuk do të marrin në tryezën e bisedimeve atë që nuk mund ta marrin me shkatërrim dhe masakër. Gjaku i djemve të mi nuk është më i vlefshëm se gjaku i njerëzve tanë të tjerë që janë vrarë në Gaza. Fëmijët e mi sakrifikuan jetën e tyre për çlirimin e Kudsit dhe Xhamisë Al Aksa”, tha Haniyeh.

Duke vënë në dukje se Izraeli mendonte se do të thyente vendosmërinë e palestinezëve duke vrarë fëmijët e udhëheqësve të tyre, Haniyeh tha se kjo gjakderdhje vetëm do të rriste më tej rezistencën dhe vendosmërinë e tyre për të qëndruar besnikë ndaj territorit palestinez.

“Pothuajse 60 anëtarë të familjes sime janë vrarë në luftë dhe nuk ka dallim mes tyre dhe njerëzve tanë. Sado të mëdha të jenë humbjet tona, ne nuk do të përkulemi para shantazhit të Izraelit dhe nuk do të bëjmë asnjë lëshim”.

Sipas dëshmitarëve okularë, ushtria izraelite goditi një automjet që mbante shumë anëtarë të familjes së Ismail Haniyeh, të cilët ishin rrugës për të festuar Bajramin me njerëzit nga kampi i refugjatëve Al-Shatti.

Burimet mjekësore konfirmuan se në sulm u vranë edhe djemtë e Haniyeh, Hazim, Emir dhe Muhamed, si dhe nipërit e tij, duke shtuar se kishte edhe të plagosur.

Në një deklaratë të Zyrës për Media të Qeverisë së Gazës thuhet se ushtria izraelite masakroi familjen e Ismail Haniyeh duke bombarduar makinën me fëmijët dhe nipërit e tij në ditën e parë të Bajramit.

“Pesë persona vdiqën në masakër dhe shumë u plagosën”, thuhet në deklaratë.

Mësohet se ushtria izraelite ka kryer masakrën ndërsa familja Haniyeh ishte nisur për të vizituar të afërmit dhe fqinjët për festën e Bajramit.

“Ky sulm është vazhdimësi e krimeve të vazhdueshme të okupatorit kundër civilëve, fëmijëve dhe grave, pavarësisht festës së Bajramit”.

TRT Balkan / agjencitë