Deri më tani shumë zyrtarë shtetërorë vetëm publikisht kanë shprehur dëshirën që afër vetes të kenë dronin Bayraktar. Disa prej tyre edhe e kanë vizituar kompaninë Bayraktar në Türkiye.     Foto: AA

Dronët e mirënjohur turq Bayraktar ende nuk kanë aterruar në Ballkanin Perëndimor. Së paku zyrtarisht asnjë shtet në rajon nuk e ka konfirmuar blerjen e kësaj fluturake pa pilot. Deri më tani shumë zyrtarë shtetërorë vetëm publikisht kanë shprehur dëshirën që afër vetes të kenë këtë lloj të dronit. Disa prej tyre edhe e kanë vizituar kompaninë Bayrak në Türkiye.
Famën e tij droni Bayraktar e mori në kohë kur forcat armatosura turke ndërhynë në Siri, kundër njësive të regjimit të Bashar al Asadit, në rajonin e qyteti të Idlibit. Veprimi i tij në Libi, Armeni dhe së fundmi në Ukrainë i ka befasuar.
Me analizën në vijim të TRT Balkan, do të shpalosë se cilat nga vendet e Ballkanit Perëndimor e dëshirojnë dronin Bayraktar.
Shqipëria në proces të blerjes së dronëve Bayraktar
Gjashtë dronë Bayraktar të armatosur pritet të jenë pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Kryeministri i Shqipërsië, Edi Rama, javë më parë njoftoi se gjatë vizitës së fundit në Türkiye është diskutuar blerja e dronëve në fjalë. Sipas tij, këta dronë, gjithsej 6 në numër sa planifikon t’i marrë Shqipëria, planifikohen të shfrytëzohen për qëllime të ndryshme, përshirë ndjekjen e personave të kërkuar dhe kontrollin e territorit të shtetit. Marrëveshja në fjalë, siç deklaroi Rama, e kap vlerën e 6 milionë dollarëve.
Shqipëria nga viti 2009 është shtet anëtar i NATO-s. Përveç helikopterëve, Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë nuk disponojnë me fluturake tjetër.
Serbia këmbëngul për blerjen e Bayraktarit
Vite me radhë, publikisht krerët e Serbisë kanë shprehur gatishmërine e tyre për të blerë dronët Bayraktar. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, një kërkesë të tillë e ka përsëritur edhe gjatë vizitës së fundit të presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan në Serbi.
“Ne duam të blejmë drone Bayraktar, por edhe e gjithë bota e dëshiron, ne duhet të futemi në radhë”, tha ai në një konferencë të përbashkët për shtyp.
Vuçiq tha se Serbia është e gatshme të paguajë "më shumë para" për këto fluturake. Sipas presidentit serb, homologu i tij Erdoğan i ka premtuar se mund t’i blejë ato.
Ushtria e Serbisë, e cila viteve të fundit është furnizuar me armë të ndryshme bashkëkohore, përpos aeroplanëve ushtarake, në asortimentin e saj disponon edhe me fluturake pa pilot të prodhimit kinez.
Osmani vizitoi kompaninë Baykar
Kosova, si shtet më i ri në rajon gradualisht është duke i ndërtuar kapacitet e veta ushtarake. Megjithatë, për blerjen e dronëve Bayraktar, asnjë zyrtar shtetëror nuk ka folur deri më tani. Presidentja e shtetit Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit zyrtar në Türkiye, në shkurt të këtij viti vizitën e filloi nga kompania Baykar.
Duke postuar fotografi me drejtuesit e kësaj kompanie, ajo tha se fabrika e për prodhimin e dronëve “Bayraktar”, është një rrëfim inspirues për arritjet në sferën e avancimit teknologjik dhe inovacionit të ndërlidhur me sektorin e mbrojtjes dhe të sigurisë. Kësisoj, ajo nuk dha detaje shtesë se vallë është arritur ndonjë marrëveshje për blerjen e këtyre dronëve ose jo.
Ushtarakë të BeH në Baykar
Vizitë të ngjashme si ajo e presidentes Osmani, në fabrikën “Baykar” këtë vit pati edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Bosnjë e Hercegovinës, gjenerallejtënant Senad Mashoviç. Por, deri më tani asnjë njoftim zyrtar nga BeH-ja nuk ka ardhur se janë furnizuar me këto drone. Aktualisht qielli i BeH-së mund të patrullohet vetëm nëpërmjet helikopterëve të forcave të armatosura.
Maqedonia e Veriut disponon me dronë izraelitë
Deklarata publike për blerjen e dronëve Bayraktar nga autoritet në Maqedoninë e Veriut deri më tani nuk janë dhënë. Droni si pajisje për herë të parë u bë e njohur në Maqedoninë e Veriut, gjatë incidentit në Lagjen e Trimave në Kumanovë, në vitin 2015. Të burgosurit në këtë aksionin pretendonin se i gjithë aksioni policor kundër tyre është mbikëqyrur nga droni. Publikisht për çështjen e dronëve vite më parë foli ministri i Punëve të Brendshme, Naqe Çulev, i cili tha se paraardhësi i tij Oliver Spasovski, me sistemazim kishte paraparë mosekzistimin e njësisë së fluturakeve pa pilot.
Maqedonia e Veriut nga viti 2011 disponon me dronë të prodhimit izraelit Hermes.

TRT Balkan