Në Shkup është mbajtur paneli njëditor me temë "Gaza: Viktimat e njerëzimit dhe të së ardhmes".
Në panelin e organizuar nga Fondacioni i Studimeve Ballkanike (BSF) me sesione të ndryshme, akademikë, gazetarë, artistë, si dhe përfaqësues nga organizata joqeveritare bënë prezantimet e tyre.
Kryetari i Bordit të BSF-së, Sevba Abdula, në deklaratën për Anadolu tha se që nga 7 tetori lidhur me zhvillimet në Palestinë është krijuar një agjendë e ngjeshur.
Ai tregoi se paneli i sotëm përbëhet nga katër sesione në turqishte, shqipe dhe maqedonishte, ku do të trajtohen ndodhitë në Gaza.
"Sot do të kemi katër panele ku do të marrin pjesë akademikë, artistë, gazetarë, studiues të rinj, si dhe miqtë tanë që janë në master dhe doktoraturë. Do të shqyrtojmë se çfarë parashikoi dhe bëri media në këtë proces. Do të trajtojmë çështjen Gaza-Palestinë në aspektin historik. Përveç kësaj, do të ketë një prezantim të një artisti se si duhet trajtuar kjo çështje në jetën publike", tha Abdula.
Abdula gjithashtu informoi se në kuadër të panelit do të ekspozohen edhe 25 fotografi të shkrepura nga fotoreporterë të Anadolut në rajon.
"Veçanërisht agjencia Anadolu në këtë periudhë ka bërë punime serioze. Këto telashe, këto procese që çojnë në gjenocid, donim t'ua tregonim sa më shumë pjesëmarrësve që do të vijnë këtu gjatë gjithë ditës përmes një ekspozite", tha ai.
Nga ana tjetër, producenti për gjuhën maqedonase në TRT Balkan, Admir Fazlagiq, tha se ai do të flasë lidhur me atë se si mediumet raportojnë mbi luftën në Gaza dhe krimet që Izraeli po kryen kundër civilëve në Gaza dhe Palestinë.
Fazlagiq tërhoqi vëmendjen edhe mbi Bregun Perëndimor, ku në shumë raste neglizhohet nga mediat.
Sipas tij, nëse ushtarët përdorin armë në luftë, gazetarët janë ushtarë me fjalën e tyre të folur dhe të shkruar, me raportimin, me pajisjet e tyre gazetareske mediatike që ua përcjellin të vërtetën botës.
"Më shumë se 100 gazetarë në Gaza janë vrarë që nga 7 tetori. Ata gazetarë u vranë nga Izraeli vetëm për arsye se ia përcjellin të vërtetën botës. Është shumë e rëndësishme të tregohet kjo. Ajo që është e gabuar që një pjesë e madhe e mediave, veçanërisht ato perëndimore, fatkeqësisht e bëjnë qëllimisht, është se bëjnë një zëvendësim të tezave. Ata vetëm i raportojnë këto zhvillime sikur palestinezët po vuajnë që nga 7 tetori, por fatkeqësisht kjo sagë vazhdon prej më shumë se 75 vitesh", theksoi Fazlagiq.
Ai theksoi se opinioni ndërkombëtar nuk ndërmori hapa të rëndësishëm për ta ndalur këtë.
Fazlagiq gjithashtu veçoi edhe rolin e institucioneve turke në këtë rast.
"Kjo është atë që e bëri agjencia Anadolu dhe TRT me të gjitha kanalet dhe rrjetet dhe platformat e tyre dhe mënyrën se si raportuan profesionalisht dhe në kohë për këtë vuajtje", shtoi ai.
Në panele që vazhduan gjatë ditës panelistët bënë prezantimet e tyre në temat "Gaza: Britma e gjenocidit", "Avokimi dhe media për Gazën", "Perspektiva psiko-politike për Gazën" dhe "Gaza përmes syve të studiuesve të rinj".