Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, duke theksuar se ndiejnë kënaqësi nga hyrja në fuqi të marrëveshjes së armëpushimit midis Izraelit dhe Libanit, shprehu pritjen që të gjitha palët, veçanërisht Izraeli, të përmbushin përgjegjësitë e tyre plotësisht në drejtim të ruajtjes së qetësisë në terren.
Presidenti Erdoğan dhe njëherësh kryetar i Përgjithshëm i AK Partisë, mbajti një fjalim në mbledhjen e grupit parlamentar të AK Partisë.
"Türkiye po forcon dita-ditës rolin e saj si një nga kokat e poleve të politikës globale", tha Erdoğan.
Duke folur rreth armëpushimit të arritur midis Izraelit dhe Libanit, presidenti turk tha: "Ndiejmë kënaqësi nga hyrja në fuqi të marrëveshjes së armëpushimit duke filluar nga mëngjesi i sotëm midis Izraelit dhe Libanit".
"Presim që të gjitha palët, veçanërisht Izraeli, të përmbushin përgjegjësitë e tyre plotësisht në drejtim të ruajtjes së qetësisë në terren", shtoi ai.
Ai shprehu edhe gatishmërinë e vendit të tij për çdo lloj kontributi që një armëpushim të përhershëm të vendoset në Gaza. "Si Türkiye shprehim gatishmërinë tonë për çdo lloj kontributi për ndalimin e masakrës në Gaza dhe vendosjen e armëpushimit të përhershëm", theksoi Erdoğan.
Armëpushimi midis Izraelit dhe Libanit, i ndërmjetësuar me përpjekjet diplomatike të ShBA-së dhe Francës, hyri në fuqi në orën 4:00 të mëngjesit me kohën lokale.
Grupi libanez Hezbollah nisi një seri sulmesh me raketa balistike, predha dhe dronë mbi Izraelin në tetor të vitit të kaluar në solidaritet me popullin e Gazës dhe për të bërë presion ndaj Izraelit për një armëpushim në enklavën e rrethuar bregdetare.
Ndërsa lufta ndërkufitare vazhdonte, Izraeli në shtator të këtij viti nisi sulme masive ajrore në gjithë vendin e vogël mesdhetar kundër atyre që pretendonte se ishin objektiva të Hezbollahut. Në tetor, Izraeli zgjeroi ofensivën me një pushtim tokësor të Libanit.