Punonjësit e kompanisë Volkswagen hynë në "grevë paralajmëruese" dy orëshe në fabrikat gjermane të prodhimit.
Grevat dyorëshe për çdo turn u caktuan pasi dështuan negociatat e pagave midis sindikatës më të madhe të punëtorëve të metaleve në vend "IG Metall" dhe menaxhmentit të Volkswagen-it.
Punëtorët e kompanisë Volkswagen hynë në grevë në përgjigje të planeve të kompanisë për të mbyllur të paktën tre fabrika në Gjermani për herë të parë në historinë e saj.
Protestuesit pritet të mblidhen në selinë e prodhuesit të automjeteve në qytetin verior Wolfsburg si dhe në fabrika të tjera në të gjithë vendin.
Javën e kaluar, sindikata "IG Metall" propozoi plane që mund të kursejnë 1,6 miliard dollarë në kostot e punës dhe të shmangin mbylljen e fabrikave, duke hequr dorë nga rritja e pagave në të ardhmen dhe duke e zëvendësuar atë me orë më të shkurtra pune në disa fabrika. Volkswagen e hodhi poshtë këtë propozim.
Raundi tjetër i negociatave të pagave midis sindikatës "IG Metall" dhe Volkswagen është planifikuar për në 9 dhjetor.
Më 28 tetor, Volkswagen njoftoi planet për të shkurtuar kostot e larta të energjisë dhe punës në Evropë. Kompania gjithashtu përmendi uljen e konkurrencës dhe rënien e shitjeve, si shtytësit kryesorë për mbylljen e fabrikave. Kompania kishte raportuar një rënie prej 60 për qind të fitimeve në tetor.
Vendimi i Volkswagen-it dërgoi valë tronditëse në industrinë gjermane të automjeteve, teksa rajoni po përballet me presione inflacioniste dhe rritje të ngadaltë ekonomike.